Grupi militant palestinez në Gaza, Hamas, së fundmi është shprehur se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit, derias fajëson Izraelin duke thënë se është përgjegjës për çdo ndërlikim apo vonesë.
Basem Naim, zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se dera është e hapur për ndërmjetësuesit e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit që të ndërhyjnë dhe të kthejnë marrëveshjen e armëpushimit në rrugën e duhu, transmeton Gazeta Enigma.
“Ne nuk dëshirojmë që kjo marrëveshje të prishet. Ne po bëjmë maksimumin për të shmangur çdo pengesë, çdo sfidë dhe për këtë arsye jemi të gatshëm të dorëzojmë të burgosurit të shtunën e ardhshme nëse situata korrigjohet përmes ndërmjetësve”, ka deklaruar Naim.
Hamasi ka përsëritur gjithashtu refuzimin e planit të presidentit amerikan, Donald Trump për të “marrë kontrollin” e Gazës, duke i etiketuar komentet e presidentit si “raciste” dhe duke thënë se plani nuk do të ketë sukses.
“Lëvizja Hamas mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit për sa kohë që okupuesi i përmbahet asaj”, ka thënë grupi.
Hamasi të hënën ka vendosur të pezullojë lirimin e tri pengjeve që parashihej t’ia dorëzonte Izraelit të shtunën, me arsyetimin se marrëveshja e armëpushimit është shkelur nga shteti izraelit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka vënë të martën ultimatum Hamasi që të lirojë pengjet izraelite deri të shtunën në mesditë, ose do të rikthejë sulmet në Gaza.
Një ditë më parë, edhe presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se Hamasi duhet t’i lirojë pengjet ose siç ka thënë “ferri do të shpërthejë” në Gaza.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasi që ka hyrë në fuqi më 19 janar, parashihej që në fazën e parë të tij të liroheshin 33 pengje izraelite në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael. /Gazeta Enigma