Ka përfunduar takimi konsultativ i Presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk ka pasur arsye që të vije deri te ky moment dhe se përgjegjësia kryesore i bie LVV-së, si partia më e madhe.
“Diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. S’ka pasur asnjë arsye me ardh në këtë moment. Përgjegjësia kryesore i bie partisë më të madhe sepse ka mundur t’i japë vendit president. Zgjedhja e presidentit historikisht ka ndodhur me marrëveshje politike në të gjitha periudhat. Nuk kam vendosur asnjëherë vija të kuqe. Nuk kemi qenë refuzues. Qëllimi ka qenë që vendi të ketë institucione e të mos vazhdohet me këto bllokada”.
“Ne e shprehëm qëndrimin tonë. E dimë që janë dërguar disa shkresa në Kushtetuese, dhe nuk e dimë se si do t’i trajtojë ato. Por, çdo vendim që meret nga kjo gjykatë, do të respektohet nga PDK. Unë besoj që presidentja e ka analiuzuar mirë veprimet e veta, ka vepruar në përputhje me detyrimet e veta, megjithatë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pranueshëm për PDK”.
“Cila do të jetë data e zgjedhjeve? Cila datë që të caktohet nga Presidentja e vendit në përputhje me afatet ligjore dhe kushtetuese”, deklaroi Hamza.
Ai tha se zgjedhjet janë totalisht të panevojshme, janë të lodhshme për qytetarët, janë të kushtueshme.
“Mirëpo, asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president përpos partisë fituese. Ne tash po flasim për datën e zgjedhjeve, dhe jam i bindur se do të kemi rezultat shumë më të mirë se ai i 28 dhjetorit. Koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të mendoj se si t’i bëjë 80 vota”, u shpreh ai.
Hamza tha se është ende herët të flitet se kush do të jetë kandidat për kryeministër nga partia e tij, sikurse edhe për koalicione parazgjedhore.
