Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën me unanimitet hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë, që përfshin sektorin e Bujqësisë dhe Kohezionit për Shqipërinë.
Ky kapitull konsiderohet si një prej fazave finale të procesit të anëtarësimit, duke shënuar një moment kyç në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Përhershëm të Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) në Bruksel, ku përfaqësuesit e shteteve anëtare rikonfirmuan angazhimin e tyre për avancimin e Shqipërisë në procesin e negociatave.
Me këtë vendim, Shqipëria përparon drejt plotësimit të të gjitha kapitujve të hapur dhe afrimit të mëtejshëm me standardet dhe ligjet evropiane, raporton euronews.al.
Grupkapitulli i pestë përfshin politika kyçe në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, menaxhimit të fondeve evropiane dhe kohezionit social dhe ekonomik, të cilat janë shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ekspertët evropianë kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë në këto fusha, ndërsa pritet që vendi të përfitojë nga fondet strukturore dhe të investojë në zhvillimin rural dhe infrastrukturën bujqësore.