Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin përmbyllës të Këshilliut Drejtues të partisë për këtë vit, të mbajtur të hënën në Suharekë, ka folur për qeverisjen e vendit, duke thënën se ekzekutivi ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Qeveria ka neglizhuar këshilla të aleatëve në aspektin e sigurisë, duke i bërë dëm vendit, për çka sipas tij, AAK-ja do të ndihmojë që Kosova të dalë nga kjo situatë.
“Ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan, nuk ka implementuar Ligjin e Pagave e ka bllokuar investimet publike. Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke i bërë dëm të madh vendit. Por, Aleanca do e ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë”, ka thënë ai
Më tej Haradinaj ka thënë se Kosova ka nevojë urgjentisht për partinë e tij.
“E them me plot bindje se Aleanca është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për stabilitet energjetik, për ruajtjen dhe forcimin e partneritetit me aleatët tanë, si dhe për zhvillimin e Komunave të Kosovës”, ka shkruar më tej ai.