Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në 26-vjetorin e rëniës së Agim Ramadanit e ka kujtuar heroin duke thënë se “ra heroikisht për të mbetur i gjallë në kujtesën e popullit”.
“Në përvjetorin e përjetësisë kujtojmë dhe nderojmë trimërinë e pashembullt të tij, si strateg dhe ndërtues i unitetit çlirimtar. Ai ndoqi deri në frymën e fundit betimin e tij për të mos vdekur pa luftuar!”.
Haradinaj tha se Ramadani ishte i pari ushtar shqiptar “që shkuli gurin e kufirit që ndante shqiptarët, ra heroikisht te Rrasa e Zogut, për të mbetur i gjallë në kujtesën e popullit dhe të shtetit të Kosovës”.
“Kujtojmë sot trimat e UÇK-së që, krahas komandant Katanës, do të kujtohen përherë si heronjtë e thyerjes së kufirit mes shqiptarëve: Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj. / Gazeta Enigma.