Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar përkushtimin e partisë së tij për të kontribuar në zhbllokimin e krizës institucionale që po e mban vendin në ngërç pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Përmes një deklarate pas takimit me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Haradinaj ka nënvizuar se AAK ka ofruar propozime konkrete për figura konsensuale që mund të marrin besimin e shumicës së deputetëve për postin e Kryetarit të Kuvendit.
“Sot, në takim me përfaqësuesit organizatave të shoqërisë civile, e rikonfirmova qëndrimin e Aleancës për të ofruar zgjidhje dhe për të ndihmuar daljen nga kjo gjendje e papranueshme. Kjo është arsyeja pse ne kemi dalë me propozime konkrete të emrave, që mund të jenë figura konsensuale, të cilat do të mund të merrnin besimin e shumicës së deputetëve për postin e Kryetarit të Kuvendit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në proceset politike dhe e ka cilësuar situatën aktuale si të papranueshme.
“Shoqëria civile është një zë i artikuluar dhe i qëndrueshëm në të gjitha proceset politike në vend, sikurse tani edhe në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme, me bllokadën institucionale që po e mban vendin peng,” tha Haradinaj.
Për këtë, ai përmendi se AAK-ja i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim që mund të shërbejë si mekanizëm për zhbllokimin institucional dhe rivendosjen e funksionalitetit të Kuvendit.
Haradinaj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve, duke theksuar se kjo po shkakton pasoja serioze në aspektin politik, institucional dhe ekonomik. Ai ka siguruar se Aleanca mbetet e përkushtuar për të qenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit.
“Bllokada e krijuar nga Vetëvendosje është e dëmshme dhe po i kushton vendit me pasoja të mëdha, politike, institucionale dhe ekonomike. Aleanca mbetet e përkushtuar që të jetë pjesë e zgjidhjes”.
Postimi i plotë:
Shoqëria civile është një zë i artikuluar dhe i qëndrueshëm në të gjitha proceset politike në vend, sikurse tani edhe në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme, me bllokadën institucionale që po e mban vendin peng.
Sot, në takim me përfaqësuesit organizatave të shoqërisë civile, e rikonfirmova qëndrimin e Aleancës për të ofruar zgjidhje dhe për të ndihmuar daljen nga kjo gjendje e papranueshme. Kjo është arsyeja pse ne kemi dalë me propozime konkrete të emrave, që mund të jenë figura konsensuale, të cilat do të mund të merrnin besimin e shumicës së deputetëve për postin e Kryetarit të Kuvendit.
Në këtë frymë, Aleanca i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, për interpretimin e nevojshëm kushtetues, si instrument që mundëson zhbllokimin institucional dhe kthimin e Kuvendit në funksionalitet të plotë.
Bllokada e krijuar nga Vetëvendosje është e dëmshme dhe po i kushton vendit me pasoja të mëdha, politike, institucionale dhe ekonomike. Aleanca mbetet e përkushtuar që të jetë pjesë e zgjidhjes.