Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste është shprehur se do ta lë politikën në momentin që Kosova anëtarësohet në NATO.
“Për mua, në momentin që jemi anëtar të NATO-s, njëfarë mënyre për mua edhe misioni politik është përmbyll. Përjetësisht. Mund të jap këshilla e shpjegime, por do të tërhiqem nga bërja e politikës në ballë”, deklaroi ish-kryeministri Haradinaj.
Këto deklarime ai i ka bërë në Rubikon të Klan Kosovës, transmeton Gazeta Enigma.
Haradinaj tha se hyrja e Kosovës në NATO nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit e gjysmë.
“Hyrja në NATO nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vjet e gjysmë. Ashtu janë matematikat. Nënkupton një kontratë serioze me aleatët. Mund të kryhet për 1 vit e gjysmë”, theksoi kreu i AAK-së.
“Në ditën që Kosova anëtarësohet në NATO, unë besoj se do të jetë edhe dita ime e fundit në politikë”, theksoi sërish Haradinaj. /Gazeta Enigma