Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka cilësuar si lajm të mirë ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për presidenten Vjosa Osmani që të marrë pjesë në Bordin e Paqes, duke theksuar se kjo përforcon rolin e Kosovës si faktor i paqes dhe stabilitetit.
Ai ka vlerësuar se rikthimi i Kosovës si partnere e besueshme e SHBA-së është jetik për sigurinë kombëtare, integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.
“Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”.
