Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë me një reagim për siç ka thënë tentimet që ta pozicionojnë “këndet ose andej ure”, duke shtuar se as atëherë e as sot s’kanë gjetur tek ai “aleat të ndarjes”.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shfrytëzuar siç thotë ai, sejmanët e tij nga VV-ja për t’i drejtuar pyetje.
“Nuk është hera e parë që kanë provuar të më pozicionojnë “këndej ose andej ure”, duke dashur të ma vendosin kufirin ne mes. Kanë provuar edhe Pejën të ma ndajnë me lum, kanë provuar që të ndajnë Mitrovicën me lum, besa edhe krejt Kosovën duke i vendosur disa kufij të ri, në emër të njëfarë shkëmbimi territorial”, shkruan ai.
Tutje, Haradinaj ka thënë se është në çdo milimetër të territorit të Kosovës dhe se tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë.
“Po ju që po pyesni nga cila anë, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani në dysh, apo si e keni hallin?! Ose në cilën anë jeni ju, që ta marrim vesh njëherë e mirë!”, shkruan ai.