Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Haradinaj njoftoi se gjatë takimit diskutuan mbi zhvillimet aktuale politike.
“E informova për angazhimin e Aleancës në këtë periudhë vendimtare për vendin tonë. Shpreha shqetësimin për nevojën urgjente të tejkalimit të bllokadës institucionale, e cila duhet të zhbllokohet pas datës 8 gusht, kur presim qartësi nga Gjykata Kushtetuese. Funksionimi i institucioneve është thelbësor për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të vendit”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.
Dyshja po ashtu biseduan për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, me Haradinaje që vlerësoi lart rolin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Theksova edhe njëherë përkushtimin tonë për integrimin euroatlantik dhe kërkova mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, u shpreh në fund i pari i AAK-së. /Gazeta Enigma