Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përgatitet për pritjen e bashkatdhetarëve nga qershori e tutje, duke i hequr kufizimet në gastronomi, për organizimin e eventeve duke përfshirë edhe hapjen e sallave të dasmave, raporton Gazeta Enigma.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se qëndrimi i bashkatdhetarëve tanë në Kosovë duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe kthimi i tyre nga Kosova të jetë me kujtimet më të mira.
“Në Bashkimin Evropian dhe SHBA, ku ndodhet shumica dërmuese e mërgatës sonë, vaksinimi po shkon drejt përmbylljes. Që nga muaji qershor, fillojnë edhe pushimet e fëmijëve nga shkollat, kështu që nga qershori e deri në shtator, mund të presim ardhjen e bashkëkombësve tanë në Atdhe. Kosova duhet të jetë e përgatitur për ardhjen e familjarëve tonë. Shumica dërmuese e tyre do të jenë të vaksinuar kundër Covid-19, andaj, qëndrimi i tyre në vendlindje, duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe nga Kosova, ata duhet të kthehen me kujtimet më të mira”, ka shkruar Haradinaj.