Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se koalicioni parazgjedhor me Forumin Intelektual E30 dhe partnerët e tjerë të koalicionit, i ka dhënë vendit një alternativë serioze të cilën e presin qytetarët.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova gjendet në një pozitë të pashpresë, por koalicioni i ynë i ka dhënë vendit një alternativë serioze.
“Kosova gjithmonë ka pasur intelektualë që nuk qëndruan duarkryq, por ishin gjithmonë në ballë të proceseve të rëndësishme, sa herë që kishte nevojë vendi. Sot, kur Kosova gjendet në një pozitë të pashpresë, koalicioni parazgjedhor me Forumin Intelektual E30 dhe partnerët e tjerë të koalicionit, i ka dhënë vendit një alternativë serioze të cilën e presin qytetarët, të angazhuar për një Kosovë të sigurtë e të zhvilluar, të integruar në strukturat euro-atlantike e në partneritet të ngushtë me BE dhe ShBA”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka marrë pjesë ne iftarin e shtruar nga Forumi Intelektual E30 udhëhequr nga Artan Nimani.
“Forumi Intelektual E30 udhëhequr nga Prof. Dr. Artan Nimani na bashkoi për iftar bashkë me partnerët e tjerë të koalicionit.
Para vetes kemi shumë punë e përgjegjësi, tema që kërkojnë trajtim me shumë kujdes e maturi. Kosova do të bëhet ashtu siç e meriton qytetari!”, ka përfunduar Haradinaj.