Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke thënë se mësuesit janë me paga “nën dinjitetin e tyre” e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor.
“Në etapa të ndryshme të historisë sonë, mësimdhënësit bartën mbi supe barrën e madhe kombëtare; ngritjen e brezave dhe sfidën per çlirimin e Kosovës. Ata sfiduan regjimin famëkeq të Millosheviqit pa asnjë kompensim, ndërsa sot në një situatë normale, 1 shtatori do duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, e sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor”, shkroi Haradinaj.
“Nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor, madje edhe me pamundësinë për t’i siguruar librat me mjetet e dedikuara për subvencionim në shumë prej 80 euro”.
I pari i AAK-së tha se barra mbi këtë rëndon “mbi njerëzit që janë në pushtet tash e sa vjet e nuk lanë gjë pa bërë, përpos trajtimit me respekt e paga të dinjitetshme për mësimdhënësit, ndërsa sindikatat e arsimit që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, i shpallën armiqësore”.
“Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat juve mësues, nxënës e prindër, që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor”, tha në fund Haradinaj. /Gazeta Enigma