Haradinaj: Kurti nuk duhet ta vazhdojë këtë kryeneçësi në raport me ShBA-në

Haradinaj: Kurti nuk duhet ta vazhdojë këtë kryeneçësi në raport me ShBA-në

Daut Haradinaj, anëtar i AAK-së, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk duhet ta vazhdojë kryeneçësinë në raport me ShBA-në.

“Prirem të besoj se kryeministri Kurti do të gjejë guximin dhe ta mendojë më seriozisht ultimatumin e miqve sepse nëse kthehemi në retrospektivë prej qershorit të vitit të kaluar e deri tash kemi pasur kriza të panumërta në raport reciprok me Shtetet e Bashkuara, njërin nga aleatët më të mëdhenj të Kosovës. Nuk mendoj që zotëri Kurti duhet ta vazhdojë këtë kryeneçësi sa i përket raportit me ShBA-në për një obligim të cilin vetë zotëri Kurti e ka marrë në Marrëveshjen e Ohrit, s’po kërkohet më shumë, vetë është pajtuar në Ohër t’i marrë këto obligime”, ka thënë Haradinaj në Rubikon.

Sipas Haradinajt edhe me çështjen e targave vitin e kaluar kryeministri Kurti e krijoi një situatë krize të panevojshme. Edhe atëherë, sipas tij, Kosova ka marrë qortime serioze, por tani, siç thotë ai, janë më rigoroze.

Haradinaj shtoi se ShBA-ja është lideri i NATO-s dhe garantim i sigurisë së Kosovës.

“Escobar disa dhjetëra herë e ka përsëritur që nuk do të bëhet një asociacion që e cenon integritetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Related Articles