Haradinaj me kritika ndaj MPJ-së: Kemi mungesë përfaqësimi diplomatik në shumë shtete njohëse

Haradinaj me kritika ndaj MPJ-së: Kemi mungesë përfaqësimi diplomatik në shumë shtete njohëse

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla ka kritikuar Qeverinë sa i përket punës së diplomacisë.

Haradinaj-Stublla thotë se diplomacia e Kosovës është shumë e heshtur në raport me agresivitetin e diplomacisë serbe.

“Nuk shohim instruksioni nga Prishtina zyrtare në drejtim të misioneve diplomatike të Kosovës në vende të ndryshme të botës. Nuk shohim objektiva të qarta të Kosovës, sidomos tani që jemi në këtë udhëkryqe ndërkombëtarë. Nuk po shohim se ka një shtrirje të diplomacisë në vendet ku nuk kemi përfaqësim diplomatik”, shtoi ajo për Telegrafin.

Ish-kryediplomatja thotë se nuk mjafton vetëm fokusimi te pesëshja mosnjohëse e BE-së.


“Në vitin 2020 e patëm një mundësi të mirë për të marrë njohjen nga Greqia, por me refuzimin e gazsjellësit edhe kjo mundësi është venitur. Tashmë është e qartë se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së nuk do të lëvizin në raport me njohjen në mënyrë individuale. Ato do të lëvizin në grup në kuadër të një dakordimi më të gjerë gjeopolitik”.

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Haradinaj thotë se tashmë Kosova duhet ta heq këtë fokus pasi njohja e pesëshes nuk varet nga ajo.

“MPJ do të duhej të fokusohej në vendet ku Kosova e ka të dobët përfaqësimin diplomatik. Në Afrikë kemi vetëm një ambasadorë dhe një të ngarkuar me punë. Mos të flasim për Amerikën Latine apo Azi ku nuk kemi fare përfaqësim. Nuk kemi ambasada as në shtetet baltike. Nuk kemi ambasadorë fuqiplotë as në Izrael. Izraeli e ka nominuar ambasadoren ndonëse jo rezidente”.

Ajo vazhdon me kritika duke thënë se në shumë shtete njohëse nuk kemi ambasadorë fuqiplotë.

Related Articles