Haradinaj në Deçan premton investime dhe energji me çmim të përballueshëm

Haradinaj në Deçan premton investime dhe energji me çmim të përballueshëm

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Deçan, ku i pranishëm ishte kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Ramush Haradinaj. Gjatë fjalimit të tij, Haradinaj prezantoi prioritetet e programit qeverisës të AAK-së, duke premtuar investime në shëndetësi, arsim, ekonomi, mbrojtje, bujqësi dhe fusha të tjera me rëndësi për qytetarët.

Ai theksoi se programi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është më i zbatueshmi për vendin dhe garanton përfitime për çdo familje dhe kategori shoqërore.

“Çdo familje, çdo anëtar – bujq, pensionist, nënë – do të përfitojë. Do të sjellim energji me çmim të Kosovës. Projekti është i gatshëm dhe brenda më pak se një viti e gjysmë, energjia do të futet në qarkullim. Me ndërtimin e centraleve përmes gazjellësit, brenda një viti prodhohet energji me çmim të përballueshëm për qytetarët dhe bizneset,” deklaroi Haradinaj.

Tutje, ai foli edhe për çështjen e sigurisë dhe integrimit euroatlantik, duke theksuar se Kushtetuta e Kosovës do të zbatohet në të gjithë territorin e vendit.

“Siguria është për të gjithë Kosovën. Nuk ka pjesë të vendit ku nuk do të zbatohet Kushtetuta. Kosova do të anëtarësohet në NATO. Para një viti kam dërguar kërkesë në SHBA për autorizim, e cila tashmë është nënshkruar nga presidenti. Kosova është vend kandidat potencial, por duhet t’i kryejë detyrat e veta,” u shpreh Haradinaj.

Ai shtoi se nëse AAK vjen në pushtet, Istogu do të përfitojë projekte të shumta zhvillimore në bashkëpunim me deputetët e kësaj zone.

Në këtë tubim u prezantuan edhe gjashtë kandidatët për deputet nga Istogu, për të cilët u tha se përfaqësojnë vlerat dhe potencialin më të mirë të kësaj komune.

Related Articles