Kryetari i AAK- së Ramush Haradinaj, ka vizituar Bashkinë e Lezhës, Memorialin e Skënderbeut dhe Muzeun Etnografik.
Ai tha se Lezha që është qyteti i kryeheroit Gjergj Kastrioti Skenderbeu përfaqëson vlera të lashta kulturore dhe historike.
Me këtë rast Haradinaj ndau medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për Bashkinë e Lezhës me motivacionin për bashkëpunim.
“Krenar që jemi shqiptarë. Gjithmonë kënaqësi të jem në Lezhë, njërin ndër qytetet më të vjetra gjithandej hapësirës shqiptare, qytet ky që përfaqëson vlera të lashta kulturore e historike, qytetin e kryeheroit Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
“Me bashkëpunëtorët, u mirëpritëm nga kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, që njihet për afërsinë e tij me proceset në të cilat ka kaluar Kosova, gjatë Luftës Çlirimtare e pas saj.
Kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për Bashkinë e Lezhës, me motivacionin për bashkëpunim. Gjergj Kastrioti Skenderbeu, kryehero i shqiptarëve, luftëtar e gjeneral, shëmbëlltyrë kombëtare në të gjitha zhvillimet historike, ishte varrosur pikërisht në Lezhë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
I pari i AAK-së tha se secila vizitë në Lezhë ofron udhëtim nëpër histori, kulturë të pastër dhe atmosferën mikëpritëse tradicionale shqiptare.
“Në kuadër të Memorialit të Skenderbeut, me bashkëpunëtorë vizituam edhe vendvarrimin e tij, njërin prej monumenteve më të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve”.
“Bëmë homazhe dhe reflektuam për njëzetepesë betejat e tij kryesore që simbolizohen përmes mburojave prej bronzi, beteja të cilat mbetën të skalitura në historinë botërore”.
“Muzeu etnografik i Lezhës, që po ashtu kishim rastin ta vizitojmë, me të vërtetë shpërfaq kulturën dhe traditat e këtij qytetit të vjetër. Aty hasëm në larmi të madhe të vlerave kulturore, kostumografisë, artizanatit dhe enëve të punuara më dorë. Lezha, qytet që i rezistoi kohës, na nderon të gjithëve”.
Haradinaj gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar nga kryetarët e komunave Zenun Elezaj, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj dhe Bali Muharremaj, bashkëpunëtorët Shemsedin Dreshaj dhe Lahi Brahimaj dhe të tjerë./Gazeta Enigma/