Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas atentateve të planifikuara që u bën publike mbrëmë ndaj krerëve të partive opozitare, Lumir Abdixhikut, Memli Krasniqit dhe disa deputetëve.
Haradinaj ka thënë se çdo kërcenim duhet të merret seriozisht e të trajtohet me profesionalizëm nga organet e rendit.
Mirëpo, Haradinaj e ka vlerësuar më të rrugës që këto kërcenime të mos tregohen në publik, që të mos dëmtohen hetimet dhe të mos shkaktohet ngarkesë e panevojshme tek opinioni publik.
“Çdo kërcënim ndaj kujtdo qoftë, duhet të merret seriozisht e të trajtohet me profesionalizëm nga organet e rendit”.
Haradinaj, mes tjerash, ka thënë se edhe vetë është përballur me kërcënimet nga më të ndryshmet, madje edhe me jetë.
“Në faza të ndryshme na ka rastisur edhe neve, edhe mua personalisht, që të përballeshim me kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime edhe me jetë. Edhe atëherë kur informatat për kërcënime na kanë ardhur në rrugë zyrtare, apo edhe nga burime të tjera, nuk e kemi alarmuar opinionin publik. E para që të mos i dëmtonim hetimet dhe e dyta që të mos shkaktonim ngarkesë të panevojshme tek opinioni publik”.
“Do të ishte politikisht jo korrekte dhe e dëmshme madje, sikur përfshirja e opinionit publik në këtë temën e kërcënimeve ndaj figurave publike, të shfrytëzohej për t’i hequr nga vëmendja e popullit, qoftë edhe përkohësisht, temat e interesit popullor, siç janë; problemet ekonomiko-sociale e ato politike, apo edhe defektet e mëdha në politikën e jashtme të vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.