Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në Gllogjan një delegacion të Ushtrisë Shqiptare, të përbërë nga disa kolonelë, me të cilët ka zhvilluar një takim simbolik për nder të dëshmorëve të kombit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur mirënjohjen për këtë vizitë dhe ka theksuar domethënien e bashkëveprimit ndërmjet forcave ushtarake të dy vendeve.
“Pata kënaqësinë të pres në Gllogjan kolonelë të nderuar të Ushtrisë Shqiptare, ku së bashku nderuam dëshmorët që dhanë jetën për lirinë tonë”, shkroi ai.
Ai ka vënë theksin te rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet ushtrive të Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik.
“Kosova në NATO, krah për krah me vëllezërit shqiptarë, është më shumë se një synim, është garancë për stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon dhe më gjerë”, theksoi Haradinaj.