Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dhe nderuar heroizmin e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Me anë të një postimi në Facebook, me rastin e 26 vjetorit të rënies së tyre, Haradinaj ka thënë se sakrifica e tyre, trasoi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
“Në 26-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë heroizmin e trimave të UÇK-së, komandantin Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Sakrifica e tyre, trasoi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Zahiri, Edmondi dhe Hakifi do të jenë përherë pjesë e kujtesës sonë historike”, shkroi ai.
Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tre heronjtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.