Ish ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se emisarët ndërkombëtar për dialogun po thonë se nuk po kërkohet ndryshimi i Kushtetutave të Kosovës e Serbisë, por që në anën tjetër, në planin franko-gjerman kërkohet njohja defakto nga Serbia.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se duhet të sqarohet se si do të na njohë Serbia derisa nuk i kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së saj, ku Kosova ende figuron ‘pjesë përbërëse e Serbisë’.
Ajo ka thënë se çmimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive nuk është kundërvlerë e barasvlefshme për njohje!
Postimi i saj i plotë:
Në njërën anë emisarët ndërkombëtar për dialogun po na thonë se nuk po u kërkohet as Kosovës as Serbisë t’i ndryshojnë Kushtetutat (për të evituar pyetjet nëse Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit një-etnik me kompetenca ekzekutive)!
Në anën tjetër, liderë institucionalë dhe opozitarë që e kanë parë të njejtin draft të propozimit franko-gjerman, thonë se ky draft ofron njohje defakto nga Serbia, ku pranohet sovraniteti, integriteti territorial, dhe kufijtë.
Është jetike të sqarohet ditëve në vijim se si pretendohet njohja defakto nga Serbia nëse nuk kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së saj (ku Kosova ende figuron ‘pjesë përbërëse e Serbisë’)?!
ÇMIMI I ASOCIACIONIT ME KOMPETENCA EKZEKUTIVE NUK ËSHTË KUNDËRVLERË E BARAZVLEFSHME PËR NJOHJE!