Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka adresuar kritika ndaj qeverisë aktuale për qasjen në dialog me Serbinë.
Haradinaj-Stublla tha se dialogu teknik në këtë kohë është “absurd”,derisa theksoi se dialogimi në “këtë pozicion të vështirë e të ndjeshëm” nënkupton dialogim me Rusinë.
“Vazhdoj të mos e kuptoj logjikën e vazhdimit të dialogut absurd teknik me Serbinë, përderisa ajo vendos vullnetarisht të mbetet nën orkestrimin dhe kontrollin direkt të Putinit. Pretendimet e shumë analistëve ndërkombëtarë e besa edhe disa vendorë (përfshirë përfaqësues të institucioneve tona) se Vuçiqi do jetë nën presion të lartë pas zgjedhjeve në Serbi që të përkushtohet në të ardhmen evropiane të Serbisë, dolën të jenë naive sepse pikërisht e kundërta po ndodhë!”
“Vuçiqi dita-ditës po e forcon edhe më tej narrativen publike të Serbisë si përkrahësja e vetme në kontinentin evropian e Putinit dhe luftës së tij gjenocidale kundër Ukrainës. Në këtë pozicion të vështirë e të ndjeshëm, ulja e Kosovës si palë viktimë në tavolinën dialoguese më Serbinë, NËNKUPTON dialogim direkt me Rusinë – qëllimi i së cilës është zgjatja deri në pafundësi i një dialogu pa afat, pa parime, dhe pa qëllime për të mundësuar përfitime MAKSIMALE të Serbisë nga BE dhe SHBA. Pikërisht këtë dialog që po udhëheq Lajçaku!”.
Haradinaj-Stublla thotë se bota i ka kthyer nga Serbia dhe se vëmendja e tillë i ka krijuar mundësinë Serbisë që të kërkojë gjithçka, prandaj në këtë drejtim ajo u jep një këshillë krerëve institucionalë.
“Në këto rrethana destruktive rajonale e ndërkombëtare, me pozicion të forcuar të Vuçiqit – kur e gjithë bota kanë sytë nga Serbia për ta bindur në çfarëdo forme për rrugëtim evropian larg Rusisë, dhe kur Serbia shfrytëzon këtë vëmendje ndërkombëtare për të kërkuar ‘gjithçka’, Kryeministri Kurti, në koordinim me Presidenten Osmani, do të duhej menjëherë të pezullojnë këtë formë dialogu teknik dhe të kërkojnë e bindin SHBA-të për rol udhëheqës në dialog final për njohje reciproke, dialog me kornizë kohore dhe parime të mirë-definuara”.
Ndërkohë, për opozitën ajo thotë se nuk e ka asnjë punë më të rëndësishme sesa të ulet bashkë me pozitën dhe të dëshmojë se unitetin rreth interesit të Kosovës e vendos para interesit elektoral.
“E përmbyllja e dialogut me Serbinë është interes shtetëror, që tejkalon një parti politike apo një koalicion qeverisës”.