Një e artë dhe tri të bronzta ishte bilanci i medaljeve që ekipi kosovar në xhudo fitoi në Kampionatin e Hapur Evropian që u mbajt sot në Prishtinë.
Akil Gjakova ishte kryefjala e këtij kampionati, duke e fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Përveç tij, medalje të bronzta fituan edhe Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Dardan Cena.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar me një postim.
Ai gjithashtu ishte në palestër dhe tha se përjetoi një emocion të veçantë.
“Xhudoja vazhdon të jetë sporti më kulminant në vend. Kosova ka ndritur në arenën ndërkombëtare falë xhudistëve tanë të talentuar, të cilët kanë sjellë triumfe të njëpasnjëshme për vendin tonë.Sot përjetova një emocion të veçantë në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në vend, “Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos Prishtina 2023,” ku morën pjesë 26 shtete nga e gjithë bota.Sukseset e xhudistëve tanë janë pasuri kombëtare, dhe kjo meritë shkon te mjeshtri i madh Toni Kuka dhe familja e tij.Mirënjohje Federatës së Xhudos së Kosovës në krye me Agron Kukën, për organizimin e shkëlqyer!”, shkroi Haradinaj.