Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me Karen Pierce, të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe integrimin euroatlantik të vendit.
Haradinaj vlerësoi rolin jetik që Mbretëria e Bashkuar ka pasur, jo vetëm në procesin e çlirimit të Kosovës, por edhe në zhvillimin e saj pas luftës. Ai theksoi se Britania e Madhe mbetet edhe sot një ndër faktorët kyç të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
“Mirënjohës për angazhimin e znj. Pierce dhe për përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës”, u shpreh Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook, pas takimit.