Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, priti sot presidentin e Federatës pan-shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha.
Haradinaj tha se e falënderoi Berishën për angazhimin dhe kontributin e madh që po ofron në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe kauzave kombëtare.
“Z. Berisha, si udhëheqës i Federatës pan-shqiptare “Vatra”, tashmë në mandatin e tij të dytë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e agjendës së Kosovës, veçanërisht në ndërtimin e marrëdhënieve me vendimmarrësit në Washington, si dhe në Kongres dhe Senat”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.
“Kërkova nga z. Berisha që këtë përkushtim ta shtojë edhe më tej, duke ndihmuar agjendën e integrimit direkt të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional për Anëtarësim”, deklaroi tutje i pari i AAK-së.