Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur falënderim për të gjithë qytetarët që i besuan kësaj partie dhe i dhanë mundësinë e triumfit në 5 komuna ku ka qeverisur, raporton Gazeta Enigma.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, edhe një herë, Kosova dëshmoi se di të organizojë zgjedhje me standarde të larta demokratike. Me këtë rast, shpreh vlerësimin dhe falënderimin tim për të gjitha institucionet e vendit për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Dita e djeshme konfirmoi fuqinë politike dhe stabilitetin e Aleancës. Kemi triumfuar në 5 komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi 10 komuna. Në kuvendet komunale, Aleanca përfaqësohet me 98 asambleistë”, theksoi ai.
Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë aktivistët veçanërisht atyre në Diasporë, “të cilët treguan përkushtim dhe vërtetësi në çdo hap”.
“Për 87.358 qytetarët që na besuan dhe mbështetën projektin tonë politik, ju siguroj se do të punojmë edhe më me ngulm për ta respektuar këtë besim, duke punuar, avancuar dhe u reformuar për zgjedhjet e ardhshme”.
“Kryetarëve Ardian Gjini në Gjakovë, Bali Muharremaj në Suharekë, Bashkim Ramosaj në Deçan, Smajl Latifi në Rahovec dhe Zenun Elezaj në Klinë, ju them faleminderit nga zemra. Ju treguat se jeni vlera e vazhdimësisë së transformimit të komunave që qeverisni, me punë konkrete dhe qeverisje të përgjegjshme për çdo qytetar”, ka shkruar kreu i AAK-së.
Ndër të tjera, Haradinaj thotë se ky është një rezultat i madh dhe një konfirmim i qartë se modeli i AAK-së sjell ndryshime reale dhe pozitive për qytetarët.
