Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për krizën e gjatë të mos konstituimit të Kuvendit e kushtetutshmërinë e vendimeve të Albin Kurtit si kryeministër në detyrë.
Hasani ka deklaruar se nuk është pritur që pas zgjedhjeve, sistemi institucional të degjenerojë deri në këtë pikë.
“Pas certifikimit të zgjedhjeve nuk kanë qenë të dukshme ravijëzimet e kësaj situate çfarë po ndodhë, meqenëse siç thotë populli, dreqi s`kujtohet kështu. Ka qenë diçka që s`është pritë se mund të kanalizohet në këtë mënyrë dhe të degjenerojë në këtë sistem”, tha ai.
Hasani madje e ka quajtur uzurpim të pushtetit, sistemin ekzekutiv në Kosovë nga Albin Kurti e kabineti i tij, prej momentit kur janë betuar si deputetë të zgjedhur të legjislaturës së nëntë.
Ai thotë se është e qartë se pushteti duhet të dorëzohet me automatizëm kur certifikohesh si deputet.
“Shenjat e para kanë qenë rreth mbajtjes së pozitës ekzekutive dhe postit të deputetit, është tërësisht jo ligjore e jo kushtetuese dhe përbënë uzurpim të pushtetit. Pa asnjë diskutim, të gjithë janë uzurpues të pushteteve ekzekutive, sepse aty thuhet se me automatizëm duhet të dorëzohet detyra kur bëhet deputete. Uzurpim në sistemin ku sundon kushtetuta e ligji quhet çdo mbajtje ushtrim i autoritetit publik që nuk ka bazë juridike”.
“Pikë kjo është kështu. Pastaj është faza e dytë e degjenerimit të procesit, në momentin kur pa pritë e pa kujtu është ndërruar rendi i ditës, që është tërësisht joligjore. Sepse gjërat e procesit të formimit të kuvendit janë sqaruar mjaftë bukur në aktgjykimin e vitit 2015, sa që interpretimet që bëhen tash janë interpretime absolutisht malicioze”, tha Hasani në Rubikon.