As tre muaj pas zgjedhjes s’është arritur konstituimi i Kuvendit.
Kjo për shkak të këmbënguljes së VV-së në Albulena Haxhiun si kryeparlamentare dhe refuzimit të opozitës për ta mbështetur këtë propozim.
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si papjekuri politike ngërçin e krijuar në Kuvend.
Hasani ka thënë se arsyeja kryesore e bllokimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë “lidhet me implementimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në territorin e Kosovës”, për të cilën thotë se “është pranuar lirshëm nga Kryeministri Albin Kurti në Ohër”.
Ndërkaq sa i përket nisjes së konsultimeve nga Osmani me liderët politikë, Hasani ka thënë se roli i presidentes nuk lidhet me procesin e krijimit të institucioneve, por me garantimin dhe përkujdesjen për funksionimin normal të tyre, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, pas konstituimit.
“Siç e kam theksuar më herët, roli i Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, nuk lidhet fare me procesin e krijimit të institucioneve, por me garantimin dhe përkujdesjen për funksionimin normal të tyre, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, pas konstituimit. Në këtë drejtim, çdo përfshirje e saj është e paarsyeshme dhe pa asnjë nevojë. Një rol të tillë të shefit të shtetit e gjejmë, pa përjashtim, në të gjitha kushtetutat e vendeve evropiane që zbatojnë sistemin parlamentar të qeverisjes. Në aspektin politik, ndërkaq, ndikimi i zonjës Vjosa Osmani, si Presidente aktuale e Republikës së Kosovës, është zero — dhe kjo me plot të drejtë: gjatë mandatit të saj, zonja Osmani nuk ka arritur ta ruajë pozitën e saj kushtetuese si figurë mbi partitë politike dhe përtej përplasjes së përditshme politike”, ka thënë Hasani.
Ai ka shtuar se ka bazë ligjore lënda që AAK me mbështetjen e PDK’së e LDK’së dërgoi në Kushtetuese për çështjen e votimit të fshehtë.
“Unë besoj fuqishëm, pa asnjë hezitim, se ekziston një bazë e fortë kushtetuese për zhbllokimin e situatës aktuale. Kjo është edhe detyrë kushtetuese e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sidomos kur ekziston një kërkesë formale për ndërhyrjen e saj dhe kur është më se e qartë mungesa e vullnetit politik për të dalë nga kjo gjendje. Gjykata ka mandatin kushtetues dhe kapacitetet njerëzore e intelektuale për të sqaruar rrugët kushtetuese që duhen ndjekur për konstituimin e Kuvendit në dritën e fakteve të krijuara nga ngërçi institucional”, ka deklaruar Hasani për Express.