Hasani: LVV po e luan lojën e budallait – partitë tjera s’kanë faj për bllokadën

Hasani: LVV po e luan lojën e budallait – partitë tjera s’kanë faj për bllokadën

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke dhënë përgjigje rreth dilemave të bllokimit politik e mos konstituimit të Kuvendit as në përpjekjen e 33-të, ka shfajësuar partitë e ish-opozitës nga një përgjegjësi e tillë.

Hasani në Rubikon të Klan Kosovës, deklaroi se pavarësisht përpjekjeve që faji i partisë, që ka dalë me numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, t`i faturohet edhe partive ish opozitare, kjo nuk qëndron.

Sipas Hasanit, ish-opozita nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se sipas tij, ish-opozita është totalisht e është e pafajshme në aspektin ligjor dhe kushtetues.

“Krejt fuqia po mblidhet me thënë që të gjithë kanë faj. Asnjë faj nuk e ka opozita, hiç asnjë. Më ligj e me kushtetutë jo hiç asnjë faj. Nuk po i referohem politikisht kush çka ka propozuar, por nuk ka faj. Unë mendoj opozita ka gabuar që kanë bllokuar në fillim të seancave raportin për certifikim”.

“S`ka çka diskutohet këtu, është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, rregullorja e kuvendit e cila e ka ndërruar mënyrën e ekzekutimin të skenarit për formim të kuvendit, dhe në vend të kryesisë së vjetër e ka bërë kryesuesi më i vjetër në moshë me forcat politike parlamentare dhe kaq. As nuk është deshtë të diskutohet”, theksoi Hasani.

Partia që drejtohet nga Albin Kurti, sipas Hasanit, “po e luan lojën e budallait” në krejt këtë situatë.

“Partia që e ka shumicën këtu po e luan lojën e budallait. Për këtë situatë nuk ka faj as votuesi e as opozita. Pse duhet të jetë opozita fajtore? Bazu në ligj, kushtetutë e rregullore, opozita nuk e ka asnjë faj”, tha Hasani.

Related Articles