Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se shkaku primar i “sjellës politike devijante” të kryeministrit në detyrë Albin Kurti është Marrëveshja e Ohrit.
Sipas Hasanit, Kurti me çdo kusht po provon ta bllokojë sistemin pasi siç ka thënë “e di se çfarë ka bërë” me nënshkrimin e saj dhe e di se ajo një ditë do të zbatohet.
“Ka shkak dhe shkas të kësaj sjellje, unë jam i bindur që shkaku bazik i krejt sjelljes aberrante të Kurtit është Marrëveshja e Ohrit, do të thotë ai e di se çfarë ka bërë, dhe tash provon me çdo kusht ta bllokojë sistemin, ai e di që ajo marrëveshje do të zbatohet një ditë dhe me supozim se ne shkojmë në një konflikt masiv civil, një ditë prapë ti do të vishë në sistem, nuk ke qare pa ardhur në norma juridike sepse kështu është Evropë, nuk të lë ty me u përhanë pa fund, një vjet, dy vjet edhe lodhesh”, është shprehur Hasani në emisionin “Konfront” në KTV.
Ndërkohë që ka thënë se 16 shtatori, data kur Gjykata Speciale do të shpallë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, është shkak i momentit i sjelljes së Kurtit.
“Shkaku bazik është ai që nuk ndryshon, do të thotë Ohri, dhe shkas për këtë rund të ngërçit që e ka prodhuar dhe po e vazhdon është 16 shtatori”, ka theksuar Hasani.
Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që Kurti ta ketë parë verdiktin e Speciale.
“Jam i sigurt që verdikti është i dhënë dhe i shkruar në këtë moment që po flasim pasi gjyqtar kam qenë vetë, nuk shkruhet një ditë para së të shpallet dhe mund të ndodhë që qarqe të caktuara e dinë llojin e verdiktit”, është shprehur Hasani.
Ai ka thënë se Gjykata nuk e ka detyrim ta njoftojë kryeministrin ose ministrin e Brendshëm për llojin e verdiktit, por sipas tij, vendet e QUINT-it do të duhej të ishin të njoftuara, pasi ka thënë se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë problem sigurie.
Kosova e Serbia arritën marrëveshje më 2023, në atë që shihet si rrugë drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja njihet si ajo e Ohrit. Edhe pse Kosova insiston në nënshkrime, Brukseli e konsideron si marrëveshje obligative. Megjithatë ajo s’është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë.
Ndër të tjera, Marrëveshja parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore. Kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme.
Megjithatë, pas refuzimit të Serbisë për zbatim dhe një letre të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në të cilën u tha se s’do të zbatohen disa pjesë – Kurti në qershor 2024 ka refuzuar takim me Vuçiqin. Ai vendosi tri kushte: që të tërhiqet kjo letër, që të dorëzohet Radoiçiqi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve.
