Hasani: Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese

Hasani: Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese

sh-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për të dielën, më 26 tetor, për zgjedhjen e Qeverisë së re, është jokushtetuese.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani ka theksuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ngutur në dekretimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e ekzekutivit, duke shkelur Kushtetutën.

“Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit serb që propozohet nga partia që përfaqëson shumicën e votave serbe, që në këtë rast është Lista Serbe. Kjo nuk ka ndodhur. Zonja Osmani, me ngutjen e treguar, ka bërë një shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka shtuar se me këtë veprim është prishur “funksionimi i organeve kushtetuese”, ndërsa ka theksuar se dekretimi në fundjavë “mund të ndodhë vetëm në kushte të jashtëzakonshme”.

Sipas tij, Kuvendi aktualisht “nuk është konstituuar sipas urdhrit të tri aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, dhe mbajtja e seancës për formimin e Qeverisë është “jokushtetuese fund e krye”.

Hasani paralajmëron se në rast se Qeveria formohet në këto rrethana, ajo mund të shpallet jokushtetuese brenda 60 ditëve, nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të kërkesës së Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit.

“Nëse Gjykata Kushtetuese shpall si kushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës në këto kushte, atëherë rrënohet parimi themelor kushtetues i formimit të organeve qendrore pas zgjedhjeve”, ka shtuar Hasani.

Ai ka theksuar gjithashtu se heshtja e ndërkombëtarëve ndaj situatës aktuale lidhet me pritjen që Qeveria e re ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky është prioritet absolut i ndërkombëtarëve, dhe si duket, këtë më mirë nuk e bën askush tjetër veç zotit Kurti”, ka përfunduar ai.

Related Articles