Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që e shpalli pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, ka treguar sërish hezitim që në dispozitiv t’u shkohet gjërave deri në fund.
Ai ka thënë se flitet për antikushtetutshmëri, por se ka presion të madh politik mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Pa asnjë diskutim, aty është miratuar në tërësi kërkesa e Qeverisë sepse dekreti u shpall pa asnjë efekt juridik. Pra pavlefshmëri absolute. Nuk e prodhon asnjë pasojë. Është dekret antikushtetues në totalitetin e vet. Ky aktgjykim si edhe ai i vitit të kaluar për konstituimin, ka hezitim që t’u shkohet gjërave deri në fund në dispozitiv”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Sipas tij, mosspecifikimi direkt në dispozitiv se bëhet fjalë për dekret antikushtetues, është për shkak të “trysnisë dhe presionit”.
“Nuk besoj se ka të bëjë me atë që po thuhet, balancim. S’ka të bëjë me balancimin. Arsyetimi flet qartë për antikushtetutshmëri të qartë. Më shumë besoj për shkak të trysninë, presionit. Ata gjyqtarë që një vit e gjysmë dy, e pashembullt në Ballkan. Për gjyqësinë kushtetuese këto raste qysh janë terrorizuar, janë sulmuar, në mënyrën më brutale, më primitive… Një pjesë 90-91 ka mund të jetë në Bjellorusi, Rusi, pak Bullgari, Sllovaki e në Shqipëri kur u formua gjykata e parë. Por kjo kështu me këtë metodë… Presion i politikës, i pushtetit, i këtij pushtetit. Pra presidentja dhe qeveria. E pabesueshme. Nën çdo nivel, janë marrë me emra e mbiemra”, ka thënë tutje ai.
Një ditë më parë Kushtetuesja rrëzoi dekretin e presidentes Vjosa Osmani, me të cilin ajo e shpërndau Kuvendin, nën arsyetimin se nuk e ka zgjedhur presidentin së paku 30 ditë para se t’i përfundojë mandati asaj. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur pa efekt këtë dekret, dhe ua ka lënë ligjvënësve në dispozicion 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit. Në rast dështimi, legjislatura e dhjetë shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen brenda 45 ditësh.
