Pasi Kuvendi nuk pati kuorum për zgjedhjen e presidentit, presidentja aktuale Vjosa Osmani, në mëngjesin e sotëm e ka shpërndarë Kuvendin, ani pse LVV e ka dërguar çështjen në Kushtetuese.
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka cilësuar se dekreti i Osmanit e cila ka vendosur të shpërndajë Kuvendin e Kosovës është antikushtetues.
Tutje, Hasani deklaroi se mbrëmë pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit, ka nisur rrjedhja e afatit 60 ditor.
“Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit. Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës. Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror.Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial”, tha Hasani për Gazetën Enigma.
