Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka deklaruar se ekonomia e Kosovës ka ngecë në një nivel zhvillimi i cili, siç tha ai, pak a shumë është në trendet e pasluftës.
Hashani kërkoi nga qeveria që të ndërhyjë urgjentisht duke krijuar një mjedis të barabartë që të operojnë bizneset, teksa shtoi se shqetësuese për vendin mbetet ulja e investimeve kapitale.
“Ekonomia e Kosovës fatkeqësisht ka ngecë në një nivel zhvillimi, i cili është pak a shumë në trendët e pas luftës. E kjo normë e rritjes ekonomike, edhe pse është më e madhe se vendet tjera të rajonit, është e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet e rëndësishme që Kosova ka”.
“Jemi me një grackë të vendit me të ardhura mesatare që nuk po arrijmë të dalim prej kësaj gracke dhe fatkeqësisht nuk po arrijmë të mobilizojmë investime të mjaftueshme qoftë prej sektori publik, i cili e ka ekzekutimin e investimeve kapitale relativisht të ulët, e kjo drejtpërdrejt ndikon edhe te sektorët ku qeveria është blerës i rëndësishëm, por edhe investimet te vet sektorit privat, të cilat do të mund të rrisnin investimet në ata sektorë në të cilët Kosova ka më shumë nevojë në këtë rast prodhimi, për të përmirësuar disa disbalance makroekonomike me të cilat përballen”, tha Hashani për KosovaPress.
Duke folur për ekonominë e vendit, Hashani derisa tregon se çfarë hapa duhet të ndërmerr qeveria, shton se në vitet e fundit është se ka një rritje të përpjesës së buxhetit, i cili është transfer dhe subvencionim, ndërsa ulje të investimeve kapitale edhe në nivel të planifikimit.
Tutje, ai tha se edhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës që vazhdojnë të jenë akoma në fuqi po i bëjnë dëme ekonomisë së vendit, pasi sipas tij, dërgojnë sinjale jo të mira tek investitorët tjerë.
Për të përmirësuar situatën në klimën e të bërit biznes, Hashani thotë se duhet të insistohet që të ulet sa më shumë informaliteti dhe evazioni fiskal, e po ashtu edhe përmirësimi i sistemit gjyqësor.