Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se 80 për qind e rasteve të dhunimeve seksuale, nga janari e deri tani janë ndaj vajzave të mitura apo të miturve në përgjithësi.
Haxhiu, gjatë tubimit me vajza dhe gra në teatrin e qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë, këtë e quajti gjendje alarmante.
“Deri tani kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, kemi miratuar protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale dhe po ua jep vetëm një informacion, nga janari deri tani, në raport me dhunimet seksuale 80 për qind e tyre janë ndaj vajzave të mitura apo të miturve në përgjithësi. Pra, kjo është një gjendje alarmante se pse ne pastaj nuk po kemi siguri se ku po shkojnë fëmijët tanë, shkon në shkollë, del me luajt, shkon me ble diçka, do të thotë ti në vazhdimësi je në shqetësim në qoftë se do t’i ndodhë diçka fëmijës… E tash së fundmi kemi miratuar në qeveri ndryshimet në kodin penal që dhunuesit mos me pas drejt me u punësu për një kohë të caktuar, që dhunuesit mos me pas drejt me qenë në listat e kandidatëve, qoftë në nivelin lokal, qoftë në nivelin qëndror, që emrat e dhunuesve do të publikohen në webfaqen e institucioneve të Republikës së Kosovës, që hetimet ndaj këtyre rasteve do të përfundohen për një periudhë brenda një viti dhe poashtu që ndaj personave të tillë do të shqiptohet masa e paraburgimit”.
“Pse po e përmend këta, vetëm rastin e fundit që përfundoi me fatalitet, gruaja në korrik të këtij viti e kishte raportuar rastin në Polici, por prokurori e kishte lëshuar në procedurë të rregullt. Po të ishte ai person në paraburgim, mendoj që megjithatë, do të mund të parandalonim situatat me fatalitet siç edhe ndodhi para pak ditësh.”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu u shpreh se janë të vetëdijshëm që ka problem me sistemin e drejtësisë dhe tha se kanë trashëguar shumë probleme teksa potencoi se ka shumë punë për të bërë derisa të ndërtohet një shtet, ku respektohet jeta dhe dinjiteti i secilit, ku të trajtohen të barabartë vajzat dhe gratë, ashtu sikur djemtë dhe burrat.
Ajo i ftoi gratë që të mbështesin vajzat edhe kur të ndahet trashëgimia, edhe kur ato nuk kanë lidhje të mirë martesore. Haxhiu u shpreh se planifikojnë reformë te Qendrat për Punë Sociale./KP