Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar kritikat e ish-ministrit, Abelard Tahiri, për vettingun.
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ndër të tjera tha se “pak muaj u deshën për ta parë qartë, dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”.
Ndërsa, ka qenë vetë ministrja Haxhiu që i është kundërpërgjigjur Tahirit, sipas saj “kur lexon atë që ka shkruar, është për keqardhje që i njëjti, ka qenë Ministër i Drejtësisë”.
Haxhiu ka thënë se nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vetingun “vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vetingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të vetingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre”.