Ministrja e Drejtësisë, Albulena Hashiu tha se sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Kosovës erdhën pasi Qeveria vendosi rend dhe rregull në veri.
Duke iu reaguar deputetëve të opozitës, Haxhiu tha se puna e Qeverisë për ta shtrirë sovranitetin në veri nuk i ka pëlqyer BE-së.
“Pse ka pasë sanksione? Ka pasë sanksione sepse për herë të parë kontrabanduesit, terroristët, kriminelët, nuk janë lejuar të veprojnë siç kanë vepruar në kohën kur keni qeverisur ju në veriun e vendit tonë. Pra, kur ju keni qenë në qeverisje, i keni leju edhe terroristët, edhe konstrabandistët, edhe sjelljet agresive të Serbisë mbi territorin e Republikës së Kosovës. Madje, nuk është larg mendsh që disa prej qeveritarëve e ish-politikanëve apo politikanë tash në pozita të ndryshme, kanë bashkëpunu me kontrabandistët. E keni leju Radoiçiqin edhe plot terroristë të tjerë”, tha Haxhiu.
“Dhe kur Kosova ka tregu, ka dëshmu dhe ka marrë veprime që nuk do të tolerohen më këta, natyrisht që kanë mundur të vendosen masat, sepse dikujt s’i paska pëlqy. Në këtë rast Bashkimit Europian. Prandaj, duhet me e thënë qartë dhe prerazi… ju i keni toleru ata, e prandaj nuk i keni prishë punë askujt, madje as Serbisë sepse keni qenë bashkë në linjë me Serbinë. Por tash kur ka rend dhe rregull, kur ka përpjekje për me e shti sovranitetin, integritetin territorial, mund të ketë masa, por besojmë që jemi në rrugën e duhur, besojmë që jemi në rrugën e drejtë”, shtoi ajo.
Në kundërreplikë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se deklarata e Haxhiut është e çuditshme.
“Është e çuditshme me e ni zyrtarin e një shteti, çfarëdo pozite qoftë ai, që thotë ‘BE-ja na ka vendos sanksione sepse po vendosim rend dhe ligj’. Pra, unë sinqerisht s’po e kuptoj”, tha Tahiri.
“Këqyre Albulenë, në qet Kuvend qëtu, veç për një njeri e dimëqë koordinohet me Radoiçiqin, më fal, veç për shefen e grupit tënd parlamentar”, tha ndër tjerash ai.