Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për krijimin e qeverisë së re, tha se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i vazhdojë negociatat me Nismën ose me ndonjë deputet tjetër të interesuar, pas refuzimit nga LDK-ja.
Megjithatë, siç theksoi ajo, nëse nuk ka interesim dhe vullnet për të formuar qeverinë, atëherë zgjedhjet mbeten një mundësi.
“Ne kemi bërë të hapur se kë e kemi parë si partnerë, PDK-në assesi, me LDK-në kemi pasur përpjekje, por në anën tjetër jemi refuzuar. Negociatat apo diskutimet e takimet mund të vazhdojnë me Nismën apo me ndonjë deputet tjetër që është i interesuar që të jetë pjesë e qeverisë së re, apo të jetë në bashkëqeverisje në qeverinë Kurti 3″.
“Duhet të ecim përpara, jo që të ndalemi, duhet të vazhdojmë para, o me qeveri të re, o me zgjedhje të reja. Ne kemi qenë të interesuar ta bëjmë qeveri, opozita nuk po e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, por për këtë ka folur populli. Megjithatë, zgjedhjet nëse nuk ka interes dhe e vullnet për ta bërë qeverinë, për të qenë në qeverisje me VV-në janë të mundshme”, tha ish-ministrja e Drejtësisë.