Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që nesër, në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, të korrigjohet padrejtësia historike, dhe të votohet për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Konfederatën e Shtetit Shqiptar.
“Pasi që Kosova ka shënuar 14 vite shtet sovran dhe i pavarur, është koha që në këtë 110 vjetor të Pavarsisë së Shqiperisë, NE të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe Shqipërisë te votojmë:
Për bashkim në Konfederatën e Shteteve Shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Të bashkohemi në një Shtet, me një Qeveri, me një Senat, me dy kongrese Kosovë e Shqipëri.
Jemi të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe Shqipërisë, është koha për vendime të rëdësishme për kombin tonë për të ruajtur identitetin shqiptar dhe për të qenë aty ku e kemi vendin bashkë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ai më tutje ka shtuar se “nga mbledhje e takime kozmetike të përfaqesuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, tani duhet guxim dhe veprim për vendime përmbajtësore dhe vizionare për kombin tonë. Kjo eshte e mundur, kjo eshte rruga e bashkimit Kombëtar në Konfederatën Shqiptare”.
“Si përfaqësues i popullit, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, kërkoj nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollai dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që në takimin e nesërm në mbledhjen e deputetëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë të hudhet në votim: Për bashkimin i Shqipërisë dhe Kosovës në Konfederatën e Shtetit Shqiptar. Kjo është rruga e drejt, ky është amaneti i dëshmorëve të kombit shqiptar ndër shekuj me radhë që kanë rënë në altarin e lirisë, me idealin e bashkimit kombëtar”, ka shkruar Haxhiu.