Haxhiu: Radojçiqi do të jetë në listën e të kërkuarve të Interpol-it

Haxhiu: Radojçiqi do të jetë në listën e të kërkuarve të Interpol-it

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me fatin e Milan Radojçiqit, udhëheqësit kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ka deklaruar se do të jetë në listën e të kërkuarve të Interpol-it nga Kosova.

“Sigurisht që po, Radojçiq do të jetë në listën e kërkuarve të Interpol-it nga Kosova, por për të mëritur aty, Kosova duhet të kryejë disa procedura. Nuk mund që të kritikohemi nëse shkelim ndonjë procedurë, unë jam shumë më shumë e mendimit që duhet të ndjekim secilën procedurë, e që pastaj ati të vendoset në Interpol”, ka deklaruar ajo në Debat Plus.

Ministrja Haxhiu gjithashtu foli për mundësinë e dorëzimit të Milan Radojçiqit nga Serbia në Kosovë.

Ajo bëri të qartë se Serbia nuk ka histori të dorëzimit të personave të kërkuar nga Kosova dhe përmendi rastin e kriminalëve të luftës, për të cilët gjykimi është bërë në mungesë.

Ministrja Haxhiu gjithashtu theksoi se Serbia nuk ka juridiksion për të hetuar sulmin terrorist në Kosovë, dhe kjo nuk lejohet ligjërisht.

“Pra nuk do ta sjellin Radojçiqin në Kosovë, ne e dimë sepse se kanë bërë asnjëherë në asnjë rast. Edhe në gjykimin për kriminalët e luftës ne kemi bëtë gjykim në mungesë sepse Serbia si dorëzon. Por fletrreshtimi ndërkombëtar i bie që ai futet në Interpol dhe kudo që ai shkon përtej Serbisë do të zihet dhe do të dorëzohet në Republikën e Kosovës. Sigurisht që do të ketë një tendencë që ta hetoj Radojçiqin me qëllim të amnistimit të tij, mirëpo Serbia nuk ka juridiksion që të merret me hetimin e sulmit terrorist që ka ndodhur në veri të Kosovës, kjo nuk lejohet ligjërisht”, ka deklaruar tutje ajo.

Ajo u shpreh e bindur se, edhe pse mund të ketë një tentativë për të amnistuar Milan Radojçiqin, ky i fundit dhe grupi i tij terrorist do të përballet me përgjegjësi për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Related Articles