Haxhiu reagon ndaj Kurtit: Unë jam plagosur në luftë, ti u bëre veteran pa bërë “bam” askund

Haxhiu reagon ndaj Kurtit: Unë jam plagosur në luftë, ti u bëre veteran pa bërë “bam” askund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditë së sotme është deklaruar përsëri kundër tërheqjes së Trustit, ku ka kritikuar opozitën dhe deputetin nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, duke thënë se “Dikush që me kaq lehtësi propozon tërheqjen e 30% nga Trusti e ka shumë të lehtë që nesër të votojë që këto mjete të kalojnë në tender asfalti. Po duna që edhe ato pak të mira që ekzistojnë t’i rrënojnë”.

Rreth këtij qëndrimi të Kurtit, ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili është edhe iniciator i nismës që lejon tërheqjen e parave nga Trusti.

Haxhiu, ka thënë se, sipas tij, Kurti e ka humbur kontrollin dhe se qytetarët po fyhen nga paaftësia, nepotizmi dhe korrupsioni i të parit të qeverisë.

“E paska humbur kontrollin kryeministri Kurti. Përpjekje djallëzore e Kurtit për ta acaruar debatin për Trustin, ne vend se të angazhohet për të punuar për qytetarët. Kryeministër, unë deputet i Kuvendit të Kosovës në 5 mandate, nuk fyhem nga fjalët tua, unë dhe qytetarët janë të fyer nga paaftësia e juaj, nga nepotizmi dhe korrupsioni në qeverisjen tuaj. “Ekspertizën” tuaj po e shohim në rastin Martin Berishës dhe ZRrE-së me shtrenjtim të energjisë eletrike dhe shtrenjtim të çmimeve. Pse jeni nervoz kryeministër? Unë sipas Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit kam dorëzuar projektligjin për Trustin, i cili e ka mbështetjen te krejt opozitës dhe deputetëve tjerë nga mazhoranca, gjë që do të duhej të ju gëzonte e jo të ju nervozonte”, ka thënë përveç tjerash Haxhiu në Facebook.

Tutje, Haxhiu ka kujtuar kohën kur gjatë kohës që Kurti ishte në opozitë, ky i fundit rrokulliste veturat e UNMIKU-t dhe EULEX-t.

“Nuk është e nevojshme ta ashpërsoni gjuhën për t’u ndezur debati për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve! Zhgënjimi i qytetarëve në ju është problem qe duhet ta kapërdini pa shpërthyer kundër deputeteve që marrin nisma ligjore në dobi të qytetarëve. Dihet se Qeveria e Kurti një muaj e ka mbajtur Projektligjin për Trustin, për të thënë një Jo qytetarëve në kërkesën për tërheqjen e një pjese të Trustit. Albin Kurti që në opozitë rrokulliste vetura e ndërkombëtarëve te UNMIKU e EULEX-it e shtynte ambasadoren amerikane e kundërshtonte politikat e tyre, sot qenka bërë i ndegjueshmi i tyre, për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Me tej, Haxhiu ka thënë se kundërshtimin e Kurtit ndaj tërheqjes së parave nga Trusti, e sheh si papërgjegjësi ndaj votuesve, por edhe hipokrizi.

“Kjo jo vetëm që është papërgjegjësi ndaj votueseve, por njëkohësisht është edhe hipokrizi. E kuptoj kryeministrin që sot ne mbledhje të Qeverisë është marr me mua dhe iniciativën për Trustin, kërkesa e madhe e qytetarëve e ka detyruar që ta rikthej në diskutim në Qeveri kërkesën për Trustin. Kurtin e keshilloj të angazhojë ekspertët me të mirë që ka për të bërë reformen pensionale pas miratimit të projektligjit për Trustin, në cilësinë e deputetit me përvojë të gjatë do ta ndihmoja në procesin e reformës pensionale dhe sociale”, ka vijuar Haxhiu.

Tutje, deputeti nga radhët e PDK, ia ka kujtuar kryeministrit se ai ka qenë pjesë e UÇK-së ku edhe është plagosur, gjë për të cilën gëzon statusin e ushtarit luftëtar invalid.

Ndërsa Kurti, sipas Haxhiut, është bërë veteran, siç tha deputeti i PDK-së “pa ja ba bam askund”.

“P.S.: Kryeministër për patriotizëm njihemi mirë unë dhe ti, kemi qenë bashkë në Unionin e Studentëve dhe në protestat e viti 1997, unë i jam bashkuar UÇK-së dhe jam plagosur në luftë, gëzoj statusin e ushtarit luftëtar invalid i luftës së UÇK-së e ju jeni “veteran” pa ja ba bam askund. Kush është dilitant, ti apo unë?! Albin për mashtrim dhe dilitantizëm je kampion!”, ka përfunduar Haxhiu.

Përndryshe, çështja e Trustit vazhdon të diskutohet mes partive, ku opozita po kërkon vazhdimisht që tu lejohet qytetarëve që të tërheqin një pjesë të parave nga Trusti, ndërsa pozita e kundërshton këtë iniciativë. 

Related Articles