Haxhiu për Trustin: Populli ka folur, tani është në dorën e deputetëve

Haxhiu për Trustin: Populli ka folur, tani është në dorën e deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, sot ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, përmes të cilit do të mundësohej tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Në seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohet kjo nismë legjislative, ai ka thënë se të zgjedhurit e popullit duhet të jenë unik, pasi populli ka folur përmes nënshkrimit të peticionit për tërheqje të mjeteve nga Trusti.

“Kjo kërkesë e qytetarëve është në Kuvend, tani është në dorën tuaj të nderuar kolegë deputetë të dëshmoni a jeni vërtet përfaqësues të qytetarëve, apo përfaqësoni vetëm bindje politike, por jo realitetin me të cilin po përballen qytetarët. Ju sot dhe cdo njëri prej nesh, para se të ngrit dorën pro apo kundër këtij projektligji duhet të kthehet prapa dhe të shoh pse qytetarët po kërkojnë mbështetjen e deputetëve për Trustin. Ua rikujtoj se buka ishte 30 cent dhe sot është shtrenjtuar në 60 cent, 100 për qind më shtrenjtë. Vezët ishin 2.4-2.5 euro, sot janë 5.15 cent. Vaji që dikur ishte rreth 1 euro, shkoi dhe u shtrenjtuar 3.4 euro, ndërsa sot e gjenë në treg 2.4 euro. Pra shtrenjtim enorm i produkteve elementare dhe konsumit ditor”, është shprehur ai.

Sipas tij, deputetët duhet të dëgjojnë kërkesën qytetare dhe jo qëndrimet politike të kryeministrit Albin Kurti.

“Nëse në këtë foltore në të kaluarën kryeministri Kurti, si opozitar atëherë deklaronte se populli duhet të pyetet për çdo çështje, populli ka folur dhe ka sjell Projektligj në Kuvend, tani është në dorën tuaj të dëgjoni popullin apo këshillimet politike të qeverisë. Unë ju ftoj që vërtetë ta dëshmoni veten si përfaqësues të qytetarëve”, ka deklaruar Haxhiu.

Kërkesën për Trustin ai e ka arsyetuar edhe me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale dhe të kredive të reja nga ana e qytetarëve.

Related Articles