Lëvizja Vetëvendosje po ndërmerr hapat për të vazhduar me krijimin e Qeverisë së re, pavarësisht se ende nuk dihet nëse Gjykata Kushtetuese do e lejojë një gjë të tillë, pa emërimin e një nënkryetari në Kuvend nga pakica serbe.
Numri 2 i LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se shpejt do të mbajnë mbledhje të Këshillit për ta çuar emrin e Kurtit te presidentja për mandatar.
“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, apo ndonjë subjekti që refuzon të marrë përgjegjësi. Është vërtetë për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4 -5 vota nuk e përkrahën Nenad Rashiqin. Nënkryetarët e Kuvendit nuk ishin të pranishëm ta ushtrojnë detyrën e tyre. Nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Presim hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë”, tha Haxhiu.
Tutje, nënkryetarja tha se presin që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, përfaqësim të denjë, koha e lojërave e pazareve ka përfunduar. Ne kemi thënë në seancën e fundit që ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë këtë, na duhet mbledhje të Këshillit të përgjithshëm që e votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani. E mandej presim që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik. Unë jam e bindur që ata do të mbajmë shpejt, për shkak të rrethanave”, tha Haxhiu.