Sekretari i Zyrës së Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka reaguar për arrestimin e një personi nga autoritetet e Serbisë, me dyshime për “krime lufte” në Koshare, njofton Gazeta Enigma.
Haxholli tha se është për keqardhje që Serbia, “vendi me historinë më të freskët të krimeve të luftës dhe gjenocidit, nuk dinë të ndalur me arrestimet, siç bëri para pak kohësh, dhe siç ka bërë edhe sot”.
“Të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat miltare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave”, shkroi Haxholli në një postim në Facebook.
“Daçiq edhe pas 30 vitesh mund të mbijetoj në politikën serbe edhe me këto mësymje, por Kosova ka fituar përjetësisht në luftë dhe në paqe kundër Serbisë”, shkroi ai më tej.
“Lavdi UÇK-së. Lavdi Heroit Agim Ramadani dhe të gjithë të rënëve në Koshare. Lavdi të gjithë atyre që luftuan kundër forcave serbe në Koshare dhe në të katër anët e Kosovës”, përfundoi Haxholli. /Gazeta Enigma