Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se Gjilani po vazhdon të shënojë ulje të rasteve aktive me COVID-19 dhe aktualisht në vet-izolim janë 43 raste, 10 persona janë të shtrirë në spital, 3 prej tyre të konfirmuar me infeksion, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
“Ajo që është lajm i mirë, në Gjilan po vazhdon vaksinimi dhe deri sot kemi mbërri në 76 mijë e 118 të vaksinuar. Ju bëjë apel qytetarëve që të vazhdojnë me vaksinim, pasi kështu arrihet imunizimi kolektiv dhe mbrojtje më e mirë nga virusi”, ka thënë kryetari Haziri, pas takimit me Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ai ka falënderuar edhe subjektet politike, të cilat përkundër fushatës zgjedhore, kanë zbatuar rekomandimet e IKSHP-së dhe në asnjë rast nuk është vërejtur shkelja e rregullave të pandemisë.
Haziri ka ri-konfirmuar gatishmërinë e Komunës së Gjilanit për të marrë përsipër imunizimin e qytetarëve kundër virusit COVID-19, duke kërkuar që ky proces të decentralizohet dhe nga salla e sporteve të bartet në QKMF, ku ekziston njësia e vaksinimit.
“Ne në Gjilan ofrojmë planin B për vaksinim, në mënyrë që të lirohet salla e sporteve edhe për shkak të kalendarit sportiv dhe për shkak të kushteve të punës në këtë hapësirë’, ka thënë Haziri.
Ndryshe, kreu i Komunës ka rikujtuar punëtorët e shtetit, shërbyesit civilë se duhet të kenë dëshmi vaksinimi, ose test anti-Covid më të ri se 72 orë, për të vazhduar punën, duke paralajmëruar se do të ketë edhe vizita befasuese të ekipeve komunale, sepse nuk mund të lejohet që administrata e shtetit të bëhet burim i infeksionit.
Për më tepër, Haziri tha se Komiteti i Emergjencave ka pranuar disa vërejtje sa i përket leximit të bar-kodit jashtë territorit të Republikës së Kosovës, gjë që bashkatdhetarëve, bizneseve dhe qytetarëve po u nxjerrë telashe dhe ka apeluar te qeveria që ta zgjidhë këtë çështje me urgjencë në mënyrë që të mos kemi probleme ditore.
Haziri tha se Komiteti do të bëjë edhe disa rekomandime për qeverinë sa i përket masave, siç është largimi bartjes së maskës për personat e vaksinuar, heqja e orës policore, sepse është e panevojshme si dhe disa masa të tjera.