Haziri e Sinani: Pa zgjidhje të problemit të Kosovës Lindore nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon

Haziri e Sinani: Pa zgjidhje të problemit të Kosovës Lindore nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën janë dakorduar për bashkëpunim të vazhdueshëm në  zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale, kulturore dhe politike të shqiptarëve, duke trajtuar të drejtën e shqiptarëve dhe parimin e vetvendosjes që qytetarët e këtyre komunave ta kenë të drejtën e bashkimit me Republikën amë.

Ai, gjithashtu, tha se janë fokusuar edhe në koordinimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve vjetore, respektivisht me çështjet që kanë të bëjnë me arsim me kulturë dhe me aktivitete të tjera që janë interes i përbashkët.

“Në kohën e zhvillimit të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore duhet të jetë pjesë e tavolinës dhe në interes të qeverisë së Kosovës dhe të mandatuarit për negociata. Parimi i reciprocitetit dhe parimi i të drejtës për vetëvendosje i qytetarëve të këtyre tri komunave nënkupton që t’u kthehet e drejta për të jetuar në Republikën amë të tyre, por ky është proces politik që është në rifillimet e saja në këtë dekadë të re. Besimi im i madh është që njerëzit dhe besimi i tyre nuk mund të shkelet asnjëherë, i kalon përmasat e kërkesave të kohës dhe përmasat e ngushta të politikanëve, qofshin në Beograd apo në Prishtinë. Fudja, e drejta për të jetuar dinjitetshëm në shtëpinë e vet i takon secilit”, ka thënë mes tjerash kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës, ka potencuar se pa zgjidhje të problemit të Kosovën Lindore nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon.

“Problemet që kanë shqiptarët në tri komunat shqiptare Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë shumë të dhimbshme që nga ato sfidat e mëdha socio-ekonomike deri te mosekzistimi juridik i shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave të vendlindjes. Diskriminimi është i vazhdueshëm. Serbia hap dialogun me Kosovën, ndërsa bllokon dialogun me këto komuna shqiptare atje dhe me përfaqësuesit shqiptarë. Mirëpo bisedimet përfundimtare, nëse nuk trajtojnë edhe zgjidhjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore, nuk mund të garantohet stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, tha Sinani.

Related Articles