Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas publikimit të letrës së krerëve shtetërorë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë se Osmani, Konjufca dhe Kurti po e kthejnë mbikëqyrjen evropiane mbi Kosovë, për shkak të, siç thotë ai, dështimeve dhe mos-mbajtjes së fjalës me partnerët.
Sipas tij, treshja janë detyruar që zotimet e tyre t’i japin me shkrim dhe nënshkrim, sepse askush nuk iu beson më,
“Trojka e Republikës Kurti, Osmani-Sadriu dhe Konjufca, po e kthejnë mbikëqyrjen Europiane mbi Republikën e Kosovës për shkak dështimeve dhe mos-mbajtjes së fjalës me partnerët.
Një pranim pa Republikë dhe veç si Kosovë dhe me një gur në qafën e saj, si kushtëzim në aspiratsn euroatlantike.
Jeni detyruar që zotimet me shkrim e nënshkrim t’i jepni sepse askush nuk ju beson më. Dhe për çka? Përr ta demtuar Republikën”, shkroi ai.
Më tej Haziri ka thënë se Kosova do t’i kujtojë tre krerët e shtetit si dështuesit e Kosovës.
Ndryshe, në letrën e siguruar nga Nacionale, thuhet se Kosova do të respektojë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në shtojcën të cilën ata ia kanë bashkëngjitur letrës.
Në këtë shtojcë përmendet themelimi i Asociacioni sa më shpejt që është e mundshme.