Kryetari i Lidhjes Demoratike dega në Gjilan, Lutfi Haziri, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook i ka reaguar kryetarit të kësaj komune Alban Hysenit, pasi që ky i fundit këtë të hënë ka raportuar punën e tij për 100 – ditëshin në qeverisje.
“Qeveria e re i ka të gatshme Projektet që i zgjidhin problemet kryesore të Gjilanit, një pjesë e të cilave ishin në realizim e sipër. Për ‘projektet’ e tyre të fushatës mos të flasim. Në vend se të shënohet progres për mirëqenien e qytetarit të Gjilanit, fatkeqësisht ka regres. Asnjë gur nuk është lëvizur”, ka shkuar Haziri.
Tutje ai ka shtuar se “ajo që kemi parë këto 100 ditë janë vetëm akuza, ankesa e tentim për njollosje të qeverisjes sonë, e cila ka qenë larg më e suksesshmja që prej pas luftës dhe modeli më i mirë qeverisës në Republikë”.
LEXO EDHE: Kryetari i Gjilanit dhe drejtorët komunalë raportojnë për punën 100-ditëshe të qeverisjes së tyre
Haziri përmes këtij postimi ka thënë se qeverisja nga Hyseni e ka ndërruar sloganin në ‘Bashkë S’Qeverisim’.
“Sinqerisht, më vjen keq për gjilanasit e mi për zhgënjimin e madh që e kanë përjetuar. Sa shpejt qeveria e re e ndërroi sloganin në ‘Bashkë S’Qeverisim’”, ka shkruar ai.
“Ajo që nuk dëshiroj të ndodh në asnjë mënyrë është humbja e partnerëve e qeverive mike botërore, me ndihmën e të cilëve sot gëzojmë projekte të cilat u kanë ndryshuar jetën qytetarëve. Shenjat nuk po duken pozitive, fatkeqësisht!”, ka përfunduar Haziri./Gazeta Enigma/