Paralajmërimi i Ministrisë së Arsimit për heqjen e notimit për nxënësit e klasave 1 deri në 5, ka ngjallur dilema se çfarë ndikimi mund të ketë tek vet nxënësit. Ata që e vlerësojnë si hap pozitiv dhe që do të hiqte stresin e nxënësve për nota, kanë dilemat se si një gjë e tillë do të menaxhohej pastaj në klasën e 6-të, kur nxënësit do të përballeshin me notim dhe mësim lëndor.
Ndërsa, ata që janë kundër largimit të notave thonë se kjo do të ndikonte në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përkrah këtë reformë në arsim por kanë edhe brengat e tyre.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj thotë se heqja e notimit do të largonte stresin e nxënësve të ciklit të ulët për nota.
“Mbasi kjo ide duhet provuar dhe janë dy momente një moment se do të hiqej stresi i fëmijëve për notat, do të hiqej presioni i mësimdhënësve nga prindërit sepse kemi informacione se prindërit një pjesë e tyre insistojnë në nota të larta për fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë mbase do të bëhej më i relaksuar mësimi nga 1 deri në 5. Por, e keqja që na frikëson është se në klasën e 6 pastaj fëmijët do të përballen me nota do të përballen me një ndërrim total të sistemit arsimor se kalojnë te mësimi lëndor dhe mbase do të jenë të mësuar pa nota dhe nuk di si do të reagojnë. Si do të angazhohen kur fillon notimi i tyre. Pra duhet studiuar mirë këtë çështje mbase do të provohet në shtator ne nuk e kundërshtojmë këtë gjë” thotë ai.
Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se largimi i notimit diferencial është një reformë e thellë e sistemit arsimor, por që një gjë e tillë deklaron se mund të ndikojë në uljen e përkushtimit të nxënësve për të mësuar.
“Largimi i vlerësimit diferencial si koncept vije nga vendet perëndimore në një sistem goxha të avancuar dhe në një kulturë më të lartë sa i përket arsimit, tash sa është e zbatueshme e njëjta tek ne kjo është diçka për të debatuar. Mirëpo, frika jonë është që largimi eventual i vlerësimit do të eliminojë atë përkushtimin që nxënësit e këtyre grupmoshave e kanë pasur”, thotë ai.
Krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, i cili thotë se largimi i notimit diferencial është një hap i qëlluar, por që thotë se një vendim i tillë duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
“Mendoj se ky hap është i qëlluar, por megjithatë duhet pasur parasysh që duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore, në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe me krijimin e një ambienti të dashur për fëmijët ku ata do të zhvillojnë me një fjalë talentet dhe shkathtësitë e tyre. Vlerësimi mund të jetë motivim, por mund të jetë edhe demotivim për nxënësit varësisht se prej çfarë këndvështrimi analizohet” ka thënë ai.
Se largimi i vlerësimit tradicional do të ketë ndikim pozitiv tek nxënësit e thotë edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore. Një gjë e tillë, ai shprehet se e largon konkurrencën që shtyhet nga prindërit që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat 5, derisa potencon se heqja e notave nuk do të ketë ndikim në uljen e motivimit të nxënësve për mësim. Kosovapress