Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet për 1 mijë e 700 tenderë të lidhur me procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë.
Ajo u ka referuar të dhënave të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, duke theksuar se nga marsi i vitit 2021, kur Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet, deri më tani janë lidhur 2 mijë e 213 kontrata njëburimore në nivelin qendror, shkruan Gazeta Enigma.
Bajrami ka kritikuar qeverinë për këtë situatë, duke sugjeruar se këto veprime mund të nënkuptojnë menaxhim të dobët dhe mungesë transparence në proceset e prokurimit publik. Ajo kërkoi që të bëhen hetime të thella dhe të merren masa për të siguruar që procedurat e prokurimit të jenë të rregullta dhe të drejta.
Deputetja ka thënë se 273 milionë euro nga buxheti i shtetit “kanë përfunduar te dostat”, me negociata “në katër sy”
“𝟐𝟕𝟑 𝐦𝐢𝐥𝐢𝐨𝐧𝐞̈ e𝐮𝐫𝐨, para këto të buxhetit të Kosovës kanë përfundu te ‘dostat’, pa asnjë procedurë prokurimi siç e kërkon Ligji, janë kry negociatat në katër sy. Të korruptuarit kurrë nuk e luftojnë korrupsionin, se ju duhet me luftu veten. Thirrja jonë organve të drejtësisë që sa më parë të merren me këto 2173 kontrata njëburimore dhe të korruptuarit ta marrin dënimin e merituar, nuk ka përfundu në veshë të shurdhër”, ka shkruar Bajrami.
Postimi: